1.REGJISTRIMI I BIZNESIT
Pasi të keni vendosur për të nisur një biznes të ri për të bërë transaksione tregtare ndërkombëtare ju duhet të vendosni për formën e biznesit të ri. Forma ose struktura e biznesit është e rëndësishme për qëllime të tatimit dhe gjithashtu për të përcaktuar detyrimet tuaja në rast të ndonjë padie ligjore apo pretendimi tjetër. Pasi të vendosni për formën e biznesit, ju pastaj duhet ta regjistroni biznesin tuaj të ri. Kjo pjesë prezanton format e bizneseve dhe hapat e nevojshëm për të nisur një biznes të ri, përfshirë regjistrimin.
Më poshtë është një shpjegim i shkurtër i llojeve të ndryshme të bizneseve në Kosovë. Ju mund të dëshironi të konsultoheni me këshilltarët tuaj ligjor dhe kontabilistët kur të zgjidhni formën e biznesit për aktivitetet tuaja tregtare ndërkombëtare:
Bizneset individuale
Te bizneset individuale pronari ka detyrime të pakufizuara për të gjitha borxhet e shoqërisë. Shoqëria ka një emër zyrtar ose përfshin mbiemrin ligjor të pronarit dhe përfshin edhe akronimin “B.I.”
Ortakëri e përgjithshme
Te ortakëritë e përgjithshme të gjithë partnerët janë bashkërisht dhe individualisht përgjegjës për të gjitha borxhet dhe obligimet tjera të organizatës. Organizata kolektive (ortakëria) ka një emër i cili mund të përfshijë emrin e njërit prej partnerëve, duke vënë menjëherë para ose pas tij akronimin “O.P.”.
Ortakëri e kufizuar
Te ortakëritë, përveç partnerëve “te pakufizuar” (të cilët janë përgjegjës pa kufizime bashkërisht dhe individualisht për borxhet e kompanisë) mund të ketë edhe partnerë “të kufizuar” ose partnerë që janë përgjegjës për obligimet e kompanisë deri në masën e vlerës së kontributit të tyre në kapitalin themeltar. Ortakëria e tillë ka një emër i cili mund të përfshijë emrin e një apo më shumë partnerëve, duke vënë menjëherë para ose pas tij akronimin “O.K.”.
Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar (SH.P.K.)
Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar janë ato organizata të themeluara nga një apo më shumë themelues, që janë përgjegjës vetëm deri në nivelin e kontributeve të tyre dhe të gjithë pasurisë. Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar ka një emër në të cilin mund të përfshihet emri i një apo më shumë partnerëve, duke vënë përpara ose menjëherë pas tij akronimin “SH.P.K.”.
ARBK mund të regjistrojë një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar pa pasur nevojë për të siguruar dëshmi për pagesën e kapitalit.
Shoqëri Aksionare (SH.A.)
Shoqëri Aksionare janë ato organizata kapitali i të cilave është i ndarë në aksione dhe aksionarët janë përgjegjës vetëm deri në nivelin e vlerës së kontributit të tyre. Ka një emër para ose pas të cilit duhet të përfshihet akronimi “SH.A.”. Shuma e kapitalit themeltar për këto organizata është së paku 10.000 Euro.
Kompani e huaj
Mund te regjistrohet si:
Degë e Shoqërisë së Huaj Tregtare – nënkupton subjektin e regjistruar në Kosovë për ushtrimin e veprimtarisë së ligjshme ekonomike nga një Shoqëri e Huaj Tregtare e themeluar sipas një ligji të një juridiksioni jashtë Kosovës. Pas regjistrimit gëzon të gjitha të drejtat dhe obligimet e krijuara në bazë të ligjit të zbatueshëm. Pas emrit duhet të shkruhet “DEGA NË KOSOVË” ose shkurtesen “D.K”.
Kompania e huaj mund te regjistrohet edhe si Zyrë e Përfaqësisë së Shoqërisë së Huaj Tregtare në Kosovë. Emri zyrtar duhet të përfshijë emrin e plotë të Shoqërisë së Huaj Tregtare me prapashtesën “Zyra e Përfaqësisë në Kosovë” ose shkurtesën “Z.P.K”.
Kooperativat Bujqësore
Koperativë Bujqësore është një shoqëri tregtare e krijuar nga personat fizik ose juridik ku të gjithë duhet të jenë bujq që kontribuojnë me pronën e tyre private në kapitalin e përbashkët. Kooperative Bujqësore themelohet nga së paku pesë (5) bujq që janë nënshkrues të obligimeve. Kooperative nuk do të themelohet pa kapital dhe nuk do të ekzistojë pa kapital. Kapitali është i ndarë në aksione të vlerës së barabartë me vlerë minimale prej 1o EUR. Drejtori nuk mund të jetë anëtar i kooperativës, që është në përputhje me Ligjin Nr. 2003/9 për Kooperativat Bujqësore dhe Ligjin Nr. 03/L-004 për Ndryshim dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 2009/3 për Kooperativat Bujqësore.
Bizneset e reja në Kosovë duhet të regjistrohen në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Shoqëritë Tregtare mund të themelohen dhe regjistrohen në Kosovë për çfarëdo qëllimi të ligjshëm dhe mund të kryejnë çfarëdo veprimtarie të ligjshme të specifikuar në nomenklaturën e kodeve të veprimtarive.
Kodet janë numra që përshtaten me veprimtarinë e biznesit të cilën ju vendosni ta hapni. Formularët që duhet të plotësohen për të hapur një biznes përmbajnë një pjesë ku juve ju kërkohet të shkruani kodin (në anën e majtë) dhe përshkrimin e biznesit (në anën e djathtë). Lista e kodeve mund të gjendet në faqen e internetit të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës në https://arbkonline.rks-gov.net/ . Kodet përbëhen nga katër shifra.
Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës (ARBK) regjistron të gjitha bizneset e reja, kryejnë modifikimin e të dhënave për bizneset dhe mbylljen e bizneseve, lëshon certifikata të regjistrimit me numër fiskal. Certifikata për tatimin në vlerën e shtuar, certifikatë për import-eksport dhe ofron informata the formularë falas.
Në ARBK mund të regjistrohen llojet e mëposhtme të bizneseve: bizneset individuale, ortakëritë e përgjithshme, ortakëritë e kufizuara, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, shoqëritë aksionare, kompanitë e huaja dhe kooperativat bujqësore.
Pasi që këto lloje dallojnë nga njëra tjetra për nga detyrimet ligjore, dokumentet që kërkohen për regjistrimin fillestar të tyre janë gjithashtu të ndryshme. Ju duhet të plotësoni formularin përkatës duke u bazuar në llojin e biznesit që dëshironi të themeloni. Regjistrimi i biznesit të ri mund të behet edhe online në: https://arbkonline.rks-gov.net/
2.PAISJA ME ÇERTIFIKATA DHE LICENCA TJERA
Sipas Legjislacionit në fuqi, cdo subjekt ekonomik qe planifikon të importoj ose eksportoj, duhet të jetë I regjistruar për TVSH. Aplikimi për t’u pajisur me Certifikatë të TVSH-së mund te bëhet në zyrat e Administratës Tatimore të Kosovës në Prishtinë (shih adresën më poshtë).
Në rast se subjekti ekonomik ka të regjistruar aktivitetin e vetë në pjesët tjera të Kosovës, atëherë ai mundet që të aplikoj pranë qendrave tjera regjionale të ATK-së, të cilat funksionojnë në:
- Prizren
- Pejë
- Ferizaj
- Gjilan
- Mitrovicë, dhe
- Gjakovë
Për më shumë vizitoni: www.atk-ks.org
Nuk aplikohet ndonjë licencë për import ose eksport të këtij produkti
Pas pajisjes me Certifikata të biznesit dhe të TVSH-së, subjekti ekonomik duhet të kërkoj nga ana e Doganës së Kosovës, aktivizimin e të dhënave të tyre në sistemin elektronik të Doganës së Kosovës-ASYCUDA World

Dogana e Kosovës
Adresa:
Drejtoria e Doganës
Rr. Rexhep Krasniqi,p.n. Prishtinë 10000