1.REGJISTRIMI I BIZNESIT

Nisja e një biznesi të ri

Pasi të keni vendosur për të nisur një biznes të ri për të bërë transaksione tregtare ndërkombëtare ju duhet të vendosni për formën e biznesit të ri. Forma ose struktura e biznesit është e rëndësishme për qëllime të tatimit dhe gjithashtu për të përcaktuar detyrimet tuaja në rast të ndonjë padie ligjore apo pretendimi tjetër. Pasi të vendosni për formën e biznesit, ju pastaj duhet ta regjistroni biznesin tuaj të ri. Kjo pjesë prezanton format e bizneseve dhe hapat e nevojshëm për të nisur një biznes të ri, përfshirë regjistrimin.

Llojet e bizneseve

Më poshtë është një shpjegim i shkurtër i llojeve të ndryshme të bizneseve në Kosovë. Ju mund të dëshironi të konsultoheni me këshilltarët tuaj ligjor dhe kontabilistët kur të zgjidhni formën e biznesit për aktivitetet tuaja tregtare ndërkombëtare:

Bizneset individuale

Te bizneset individuale pronari ka detyrime të pakufizuara për të gjitha borxhet e shoqërisë. Shoqëria ka një emër zyrtar ose përfshin mbiemrin ligjor të pronarit dhe përfshin edhe akronimin “B.I.”

Ortakëri e përgjithshme

Te ortakëritë e përgjithshme të gjithë partnerët janë bashkërisht dhe individualisht përgjegjës për të gjitha borxhet dhe obligimet tjera të organizatës. Organizata kolektive (ortakëria) ka një emër i cili mund të përfshijë emrin e njërit prej partnerëve, duke vënë menjëherë para ose pas tij akronimin “O.P.”.

Ortakëri e kufizuar

Te ortakëritë, përveç partnerëve “te pakufizuar” (të cilët janë përgjegjës pa kufizime bashkërisht dhe individualisht për borxhet e kompanisë) mund të ketë edhe partnerë “të kufizuar” ose partnerë që janë përgjegjës për obligimet e kompanisë deri në masën e vlerës së kontributit të tyre në kapitalin themeltar. Ortakëria e tillë ka një emër i cili mund të përfshijë emrin e një apo më shumë partnerëve, duke vënë menjëherë para ose pas tij akronimin “O.K.”.

 Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar (SH.P.K.)

Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar janë ato organizata të themeluara nga një apo më shumë themelues, që janë përgjegjës vetëm deri në nivelin e kontributeve të tyre dhe të gjithë pasurisë. Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar ka një emër në të cilin mund të përfshihet emri i një apo më shumë partnerëve, duke vënë përpara ose menjëherë pas tij akronimin “SH.P.K.”.

ARBK mund të regjistrojë një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar pa pasur nevojë për të siguruar dëshmi për pagesën e kapitalit.

Shoqëri Aksionare (SH.A.)

Shoqëri Aksionare janë ato organizata kapitali i të cilave është i ndarë në aksione dhe aksionarët janë përgjegjës vetëm deri në nivelin e vlerës së kontributit të tyre. Ka një emër para ose pas të cilit duhet të përfshihet akronimi “SH.A.”. Shuma e kapitalit themeltar për këto organizata është së paku 10.000 Euro.

Kompani e huaj

Mund te regjistrohet si:

Degë e Shoqërisë së Huaj Tregtare – nënkupton subjektin e regjistruar në Kosovë për ushtrimin e veprimtarisë së ligjshme ekonomike nga një Shoqëri e Huaj Tregtare e themeluar sipas një ligji të një juridiksioni jashtë Kosovës. Pas regjistrimit gëzon të gjitha të drejtat dhe obligimet e krijuara në bazë të ligjit të zbatueshëm. Pas emrit duhet të shkruhet “DEGA NË KOSOVË” ose shkurtesen “D.K”.

Kompania e huaj mund te regjistrohet edhe si Zyrë e Përfaqësisë së Shoqërisë së Huaj Tregtare në Kosovë. Emri zyrtar duhet të përfshijë emrin e plotë të Shoqërisë së Huaj Tregtare me prapashtesën “Zyra e Përfaqësisë në Kosovë” ose shkurtesën “Z.P.K”.

 Kooperativat Bujqësore

Koperativë Bujqësore është një shoqëri tregtare e krijuar nga personat fizik ose juridik ku të gjithë duhet të jenë bujq që kontribuojnë me pronën e tyre private në kapitalin e përbashkët. Kooperative Bujqësore themelohet nga së paku pesë (5) bujq që janë nënshkrues të obligimeve. Kooperative nuk do të themelohet pa kapital dhe nuk do të ekzistojë pa kapital. Kapitali është i ndarë në aksione të vlerës së barabartë me vlerë minimale prej 1o EUR. Drejtori nuk mund të jetë anëtar i kooperativës, që është në përputhje me Ligjin Nr. 2003/9 për Kooperativat Bujqësore dhe Ligjin Nr. 03/L-004 për Ndryshim dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 2009/3 për Kooperativat Bujqësore.

Regjistrimi i biznesit tuaj të ri

Bizneset e reja në Kosovë duhet të regjistrohen në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Shoqëritë Tregtare mund të themelohen dhe regjistrohen në Kosovë për çfarëdo qëllimi të ligjshëm dhe mund të kryejnë çfarëdo veprimtarie të ligjshme të specifikuar në nomenklaturën e kodeve të veprimtarive.

Kodet janë numra që përshtaten me veprimtarinë e biznesit të cilën ju vendosni ta hapni. Formularët që duhet të plotësohen për të hapur një biznes përmbajnë një pjesë ku juve ju kërkohet të shkruani kodin (në anën e majtë) dhe përshkrimin e biznesit (në anën e djathtë). Lista e kodeve mund të gjendet në faqen e internetit të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës në https://arbkonline.rks-gov.net/ . Kodet përbëhen nga katër shifra.

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës (ARBK) regjistron të gjitha bizneset e reja, kryejnë modifikimin e të dhënave për bizneset dhe mbylljen e bizneseve, lëshon certifikata të regjistrimit me numër fiskal. Certifikata për tatimin në vlerën e shtuar, certifikatë për import-eksport dhe ofron informata the formularë falas.

Në ARBK mund të regjistrohen llojet e mëposhtme të bizneseve: bizneset individuale, ortakëritë e përgjithshme, ortakëritë e kufizuara, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, shoqëritë aksionare, kompanitë e huaja dhe kooperativat bujqësore.

Pasi që këto lloje dallojnë nga njëra tjetra për nga detyrimet ligjore, dokumentet që kërkohen për regjistrimin fillestar të tyre janë gjithashtu të ndryshme. Ju duhet të plotësoni formularin përkatës duke u bazuar në llojin e biznesit që dëshironi të themeloni. Regjistrimi i biznesit të ri mund të behet edhe online në:  https://arbkonline.rks-gov.net/

ARBK

Adresa: Rr. “Muharrem Fejza” p.n.  Lagjja e Spitalit Prishtinë, Republika e Kosovës

2.PAISJA ME ÇERTIFIKATA DHE LICENCA TJERA

Certifikata per Tatimin mbi Vleren e Shtuar - TVSH

Sipas Legjislacionit në fuqi, cdo subjekt ekonomik qe planifikon të importoj ose eksportoj, duhet të jetë I regjistruar për TVSH. Aplikimi për t’u pajisur me Certifikatë të TVSH-së mund te bëhet në zyrat e Administratës Tatimore të Kosovës në Prishtinë (shih adresën më poshtë).

ATK

Adresa: ish-Ndertesa e Germise Sheshi „Skenderbeu“, Boulevardi Nena Tereze p.n. Prishtinë, Republika e Kosovës

Në rast se subjekti ekonomik ka të regjistruar aktivitetin e vetë në pjesët tjera të Kosovës, atëherë ai mundet që të aplikoj pranë qendrave tjera regjionale të ATK-së, të cilat funksionojnë në:

  1. Prizren
  2. Pejë
  3. Ferizaj
  4. Gjilan
  5. Mitrovicë, dhe
  6. Gjakovë

Për më shumë vizitoni: www.atk-ks.org

Paisja me licenca

Për importimin e produkteve farmaceutike, në varësi të produktit kërkohet licencë e vecantë. Këtë licencë e lëshon Agjensioni për Produkte dhe Pajisje Mjekësore.

Klinika Univerzitare p.n (Q.K.U.K), 10000 Prishtinë,
Republika e Kosovës

Regjistrimi ne Doganen e Kosoves

Pas pajisjes me Certifikata të biznesit dhe të TVSH-së, subjekti ekonomik duhet të kërkoj nga ana e Doganës së Kosovës, aktivizimin e të dhënave të tyre në sistemin elektronik të Doganës së Kosovës-ASYCUDA World

Dogana e Kosovës

Adresa:
Drejtoria e Doganës

Rr. Rexhep Krasniqi,p.n. Prishtinë 10000

PROCEDURAT DOGANORE NE IMPORT

“Procedurë doganore” është veprimi juridik për të kryer lirimin e mallrave nga “kontrolli doganor”. Kontrolli doganor i referohet masave të zbatuara për të siguruar pajtueshmërinë me ligjet dhe rregulloret e Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me importimin, eksportimin ose transitin e mallrave.

Pavarësisht nga procedura doganore që një tregtar dëshiron të aplikojë për një dërgesë, deklarata doganore e mallrave kërkohet të plotësohet nga importuesi ose eksportuesi (ose një përfaqësues i autorizuar) dhe të paraqitet në Doganën e Kosovës në mënyrë që dërgesa të lëshohet nga kontrolli doganor.

Në përgatitjen e një deklaratë doganore të mallrave, tregtari duhet së pari të përcaktojë dhe të deklarojë cila procedurë doganore do të deklarohet për trajtimin e mëtejshëm të mallrave. Shembuj të procedurave doganore, të cilat mund të zbatohen për një dërgesë të mallrave, përfshijnë, ndër të tjera importimin, eksportimin, transitin, importimin e përkohshëm, magazinimin, transportimin, ri-eksportimin, tërheqjen e detyrimeve dhe përpunimin e brendshëm.

PALËT E TRETA PËRFAQËSUESE

Për realizimin e një transakcioni komercial ndërkombëtar në Kosovë, qoftë për të importuar, eksportuar apo kaluar mallra tranzit, kompanive tregtare do të ju duhet angazhimi i një pale të tretë përfaqësuese, që do ti përfaqësoj ata në procedurat e parapara tek agjencitë kufitare siç janë Doganat, Policia Kufitare, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, etj. Këta përfaqësues njihen si shpediterë apo agjentë zhdoganimi. Në Kosovë aktualisht ka më shumë se 100 firma shpedicioni dhe përafërsisht 500 shpediterë individual. Shumë shpediterë përfaqësohen nga Shoqata e Shpediterëve e Kosovës e cila është e lidhur me Odën Ekonomike të Kosovës. Niveli i profesionalizmit dhe kompetencës së shpediterëve mund të ndryshojë kështu që kur të përzgjidhni shpediterin që do të veprojë si agjent i juaji, ju duhet të kontrolloni me kujdes kualifikimin dhe reputacionin e tyre. Tarifat për shërbimet e shpediterëve negociohen individualisht dhe bazohen në vëllimin e tregtisë, numrin e artikujve të listuar në një faturë, kompleksitetin e transaksionit dhe të ngjashme.

Agjentët e tjerë, palë të treta, që janë thelbësorë për të aranzhuar hollësitë e transportit ndërkombëtar të mallrave të mallrave njihen si transportues të mallrave. Transportuesit e mallrave janë ekspertë sa i përket aranzhimeve të ndryshme të transportimit që duhet bërë për të lëvizur mallrat përmes kamionëve, hekurudhës, oqeanit ose ajrit (ose kombinime të këtyre transporteve multimodale) nga eksportuesi te importuesi. Ata do të ju këshillojnë lidhur me koston dhe kohen e nevojshme për opsionet e ndryshme të transportit dhe pastaj do të bëjnë aranzhime specifike transportimi për ju dhe do të marrin sigurimet e nevojshme. Shpesh e njëjta kompani, palë e tretë përfaqësuese ofron edhe shërbimet e shpeditimit edhe të transportit të mallrave. Disa firma të mëdha ndërkombëtare të transportit të mallrave operojnë në Kosovë. Tarifat për transportuesit e mallrave përcaktohen në bazë të kontejnerëve dhe janë të bazuara në peshën dhe vëllimin e dërgesave, kohën e vitit dhe të ngjashme.

DOKUMENTET QË KËRKOHEN PËR IMPORT

Normalisht kërkohen tri (3) dokumente për transaksione importi:

  • Deklarata unike doganore,
  • Fatura komerciale, dhe
  • Certifikata e origjinës ( Certifikata për lëvizjen e lirë te mallrave EUR1, për vendet me tarifë preferenciale)

 

Faturat komerciale

Informacioni i dhënë në këtë seksion zbatohet për faturat komerciale që janë përgatitur në lidhje me transaksionet e importit. Informacioni më i mirë mbi faturat e importit do të lehtësojë lirimet më të shpejta në procedurën e importit.

Udhëzime të hollësishme për importuesit, eksportuesit dhe shpediterët

Është përgjegjësi e tregtarëve ose përfaqësuesve të tyre për të përgatitur deklarata unike doganore (DUD) të plota dhe të sakta për zhdoganimin e të gjitha dërgesave, qoftë për import, eksport, transit, magazinimin ose procedura tjera doganore.

Një nga kërkesat për dorëzimin e një deklarate të pranueshme është përfshirja e një kopje të faturës komerciale dhe certifikatës së origjinës, përveç lejes së kërkuar, licencës ose certifikatave që i përkasin mallrave.

Fatura tregtare duhet të japë një përshkrim të saktë dhe të plotë të mallrave dhe të ofrojë informata të caktuara themelore që kanë të bëjnë me këto mallra. Fatura duhet të japë çmimin e vërtetë dhe të plotë të paguar ose që duhet paguar për secilin lloj të mallit të listuar në faturë.

Dështimi për të siguruar faturat e duhura komerciale, të cilat përshkruajnë në mënyrë adekuate mallrat, kur deponohet një deklaratë doganore, mund të rezultojë në refuzim të menjëhershëm. Në çdo rast, procedimi dhe aprovimi i një deklarate pa faturën e duhur, mund ti nënshtrohet vonesave derisa doganierët përpiqen për të tejkaluar mungesën e informacionit në lidhje me klasifikimin e saktë të mallrave, përcaktimin e vlerës së saktë të mallrave, duke përcaktuar vendin e origjinës dhe vlerësimit të saktë të shumave të detyrimeve dhe tatimit. Për këtë arsye, informacioni joadekuat ose jo i plotë në faturë mund të çojë në rritje të pagesave të detyrimeve të importit, TVSH-së dhe akcizës nëse aplikohet.

Që Dogana të ofrojë shërbim të mirë në zhdoganimin e mallrave të importuara apo të eksportuara, është esenciale që çdo deklarues të sigurohet që faturat e dorëzuara me DUD të përshkruajnë saktësisht mallrat e mbuluara në transaksion. Përshkrimi i faturës duhet të jetë i detajuar mjaftueshëm që një zyrtar doganor të jetë në gjendje klasifikojë mallrat saktë në përputhje me nomenklaturën e Tarifës Doganore të Sistemit të Harmonizuar. Nëse informatat në faturë dhe përshkrimi i mallit nuk janë dhënë në detaje të mjaftueshme, procedimi i deklaratës doganore mund të vonohet, që natyrisht rezulton me kohë dhe kosto shtesë për të bërë biznes.

Shumica e vendeve në botë kanë miratuar dhe janë duke zbatuar Përshkrimin e Harmonizuar të Mallrave gjashtë shifror dhe Sistemin e Kodimit ( “SK”) për tregtinë ndërkombëtare; Kosova përdor SK-në për klasifikimin e mallrave në bazë të Ligjit për Tarifa Doganore. Prandaj, në rast të importit në Kosovë është shumë e mundshme që furnizuesi i huaj (eksportuesi) ka njohuri të mirë për procesin e kodimit SK.  Rrjedhimisht, do të jetë shumë e dobishme për importuesit të kërkojnë nga furnizuesit e tyre të huaj që të përfshijnë, së bashku me përshkrimin e saktë të mallrave edhe numrin e saktë gjashtë shifror të nëntitullit (sipas SK-së) në faturën komerciale; ky numër gjashtë-shifror përdoret në të gjithë botën për mallrat në fjalë. Ky proces mund të marrë ca kohë për importuesit në Kosovë për t’u organizuar paraprakisht me furnizuesit e huaj dhe transportuesit, por përpjekja e nevojshme për të siguruar këtë informacion në fatura ka të ngjarë të rezultojë në shërbim më të mirë nga Dogana në Kosovë, vlerësime të sakta të pagesave të detyrimeve dhe tatimeve, kohë më të shpejtë të lirimit dhe të dhëna më të sakta të tregtare.

Së fundi, fatura duhet të jetë mjaft e lexueshme për të lejuar zyrtarët e doganave të kryejnë procedimin e tyre dhe funksionet e verifikimit. (Kjo nuk është problem me faturat e dorëzuara elektronikisht.) Numrat e faturave duhet të jenë të shtypur pashlyeshëm në faturë. Mallrat e klasifikuara nën të njëjtin klasifikim tarifor SK mund të grupohen së bashku në një linjë të artikujve të DUD-it. Vlera e faturës për çdo linjë të artikujve duhet të shënohet në fushën “22” në formularin e deklaratës doganore. Faturat e shkruara me dorë apo të gjeneruara nga kompjuteri janë të pranueshme, me kusht që ato përfshijnë minimumin e informacionit të kërkuar.

Informacionet minimale të kërkuara në një fature komerciale përfshijnë:

  1. Emrin e shitësit (furnizuesi, transportuesi) në vendin e huaj.
  2. Emrin e eksportuesit, nëse është i ndryshëm nga shitësi.
  3. Emri i marrësit në Kosovë.
  4. Emri i blerësit, nëse është i ndryshëm nga marrësi.
  5. Numri i urdhrit të blerjes, nëse është i aplikueshëm.
  6. Data e dërgimit direkt në Kosovë.
  7. Vendi transit i dërgimit, nëse është i aplikueshëm.
  8. Vendi i origjinës (ku mallrat janë rritur, prodhuar ose fabrikuar; nëse dërgesa përfshin mallra të origjinës së ndryshme, origjina duhet të jepet me një përshkrim narrativ për secilin lloj të mallit në dërgesë, siç tregohet në pikën 14 më poshtë).
  9. Transportimi – trego mënyrën e transportit dhe vendin e dërgesës së drejtpërdrejtë në Kosovë.
  10. Kushtet e shitjes.
  11. Kushtet e pagesës (për shembull “shitja”, “dërgesa”, “qiraja”, “kredia” dhe Net 30 Ditë, etj.).
  12. Valuta e marrëveshjes.
  13. Numri i paketimeve.
  14. Përshkrimi i mallrave (përfshirë llojin e paketimeve, markat dhe numrat, karakteristikat, klasa, cilësia, numri gjashtë shifror SK) *.
  15. Sasia dhe njësia e matjes.
  16. Pesha totale (Neto dhe Bruto).
  17. Vlerat e njësisë.
  18. Fatura gjithsej (FOB – në valutën e marrëveshjes).
  19. Deklarata e çmimit (në rastet kur honoraret ose pagesat tjera ose procedimet për pasuese për këto mallra paguhen ose janë të pagueshme nga blerësi në Kosovë).

* Është thelbësore që përshkrimi i kërkuar nën numrin 14 mësipër që jepet në detaje të mjaftueshme dhe të përfshijë si në vijim (si të zbatueshme për llojin e mallit): prodhuesin ose emri i brendit, numrat e modelit, datën e fabrikimit, kapacitetin, madhësinë, përbërjen e materialit, përshkrimin e aksesorëve të përfshirë, etj.

Dokumenti Unik Doganor

Certifikata EUR1

Dokumenti Doganor T1

CMR