DOKUMENTET E NEVOJSHME PER TRANZIT

Dokumentet në vijim nevojiten për procedurën e transitit doganor:

  • Deklarata unike doganore (T1),
  • Fatura komerciale,
  • Lista e ngarkesës, dhe
  • Depoziti me para të gatshme, ose garancioni doganor.

Deklarata doganore e transitit duhet të plotësohet duke i përdor kodet e referuara më sipër në këtë udhëzues, në kuadër të “Udhëzimeve për plotësimin e deklaratës dhe procedurave doganore”. Në përgatitjen e një deklarate doganore të transitit, personi përgjegjës për qarkullimin transitor duhet ta deklarojë procedurën e transitit, duke përdorë kodin përkatës për transit. Kodet që duhet të përdoren për futjen e të dhënave në deklaratën doganore të transitit janë dhënë në aneksin 19 të “Udhëzimit administrativ nr. 11/2009 për implementimin e Kodit Doganor.

Deklarata doganore e transitit mund të dorëzohet ose në mënyrë elektronike ose në kopje fizike në zyrën doganore të nisjes. Deklaratat e transitit do të dorëzohen normalisht në zyrën e nisjes së Doganave të Kosovës gjatë ditëve dhe orëve të caktuara të orarit të punës. Megjithatë, dogana, me kërkesën e personit përgjegjës për transit dhe me shpenzimet e atij personi, mund të jep autorizimin që deklarata të mund të dorëzohet edhe jashtë ditëve dhe orëve të caktuara të orarit të punës. Mund të aplikohen tarifa shërbyese të veçanta në raste të këtilla të shërbimit jashtë orarit të punës, dhe se do të aplikohen për mbulimin e shpenzimeve shtesë që lidhen me ofrimin e shërbimit.

Ju lutem shihni anekset 23 dhe 24 të “Udhëzimit administrativ nr. 11/2009 për implementimin e Kodit Doganor” për formën e garancionit individual dhe për listën e ngarkesës transitore. Listat e ngarkesës të përpiluara në pajtim me aneksin 24 dhe që përkojnë me mostrën në aneksin 23 mund të përdoren në vend të fletëzave vijuese (të deklaratës doganore), si pjesë përshkruese, dhe si rrjedhojë pjesë përbërëse e deklaratës transitore. Doganat e Kosovës do të mundësojnë që lista e ngarkesës të përdoret si pjesë përshkruese e deklaratave transitore të dorëzuara me anë të mjeteve elektronike.

Një mjet i vetëm i transportit mund të përdoret për ngarkimin e mallrave në më shumë se në një zyrë të nisjes, dhe për shkarkimin e tyre në më shumë se një zyrë të destinacionit.

Këto më poshtë konsiderohen se përbëjnë një mjet të vetëm të transportit me kusht që mallrat e bartura të janë dërguar së bashku:

  • Një automjet rrugor i shoqëruar nga rimorkio (rimorkiot) ose gjysmë-rimorkio (gjysmë-rimorkiot) e tij
  • Një varg transportuesish hekurudhor po vagonësh;
  • Kontejnerët e ngarkuar në një mjet të vetëm të transportit.

Për qëllim të transitit, deklarata doganore (DUA) përbëhet prej kopjeve si në vijim:

  • Kopja 1 e zyrës së nisjes;
  • Kopja 4 e zyrës së destinacionit; dhe,
  • Kopja e kthimit 5 Kopja e transitit.

Fletëzat shtesë vijuese të formularit të deklaratës dhe/ose lista e ngarkesës përdoren për ta plotësuar deklaratën transitore kur më shumë se një mall transportohet dhe kur nuk ka hapësirë të mjaftueshme për regjistrimin e detajeve të të gjitha mallrave në faqen e parë të deklaratës doganore.

Me kusht që mallrat e mbuluara nga qarkullimi transitor të janë transportuar në automjetin e njëjtë dhe qarkullimi bëhet nga një zyre e nisjes në zyrën tjetër të nisjes, atëherë mjafton një deklaratë e vetme transitore. Në anën tjetër, për shembull, nëse një ngarkesë ndahet në dy kamionë, secili kamion duhet ta ketë deklaratën e vet transitore, edhe nëse të gjitha mallrat e kanë statusin e njëjtë dhe udhëtojnë ndërmjet zyrës së njëjtë doganore dhe përshkojnë rrugën e njëjtë, etj.

GARANCIONI GJITHËPËRFSHIRËS DHE LIRIMI NGA GARANCIONI

Personi përgjegjës për qarkullimin transitor mund ta përdor një garancion gjithëpërfshirës, ose lirimin nga garancionit, deri në një shumë të specifikuar. Për aplikimin e garancionit gjithëpërfshirës bëhet llogaria e shumës së borxhit doganor, i cili mund të shkaktohet për secilin veprim transitor.

Shuma e specifikuar duhet të jetë e njëjtë me shumën e borxhit doganor, i cili mund të shkaktohet sa i përket mallrave që personi përgjegjës për qarkullimin transitor i vendos në kuadër të procedurës transitore gjatë një periudhe prej së paku një jave.

Zyra e garancionit do ta përcaktojë shumën në bashkëpunim me personat në fjalë në bazë të informacionit të mallrave të cilat janë bartur në të kaluarën dhe një vlerësimi të vëllimit të operacionit të paraparë transitor siç dëshmohet, mes tjerash, me anën e dokumentacionit përkatës komercial dhe librave të kontabilitetit. Në përcaktimin e shumës së specifikuar, duhet të merret norma më e lartë e detyrimeve dhe e tarifave të mallrave në këtë libër kontabiliteti.

Zyra e garancionit do ta rishikojë shumën e specifikuar në baza vjetore, veçanërisht në dritën e informacionit të marrë nga zyra ose zyrat e nisjes, dhe do ta korrigjojë këtë shumë sipas nevojës.

Personi përgjegjës për qarkullimin transitor do të sigurojë që detyrimet dhe tatimet e rrezikut në procedurën e transitit të mos e tejkalojnë shumën e specifikuar, duke i marrë parasysh operacionet apo veprimet për të cilat procedura ende nuk ka përfunduar.

Personi përgjegjës për qarkullimin transitor duhet ta informojë zyrën e garancionit kur shuma e specifikuar është nën nivelin e nevojshëm të mbulimit të operacioneve transitore.

Shuma që duhet të mbulohet nga garancioni gjithëpërfshirës mund të zvogëlohet deri në:

  • 50% të shumës së specifikuar kur personi përgjegjës për qarkullimin transitor dëshmon se gjendja e tij financiare është e mirë dhe se ka përvojë të mjaftueshme me procedurat transitore;
  • 30% e shumës së specifikuar kur personi përgjegjës për qarkullimin transitor dëshmon se gjendja e tij financiare është e mirë dhe se ka përvojë të mjaftueshme me procedurat transitore, dhe se bashkëpunon ngushtë me autoritetet doganore.

Mund të ketë lirim nga garancioni kur personi përgjegjës për qarkullimin transitor dëshmon se personi i përmbahet standardeve të besueshme të përshkruara në paragrafin (b) më lartë, dhe se i ka nën kontroll veprimtaritë transportuese dhe se ka mjete të mjaftueshme financiare për t’i përmbushur të gjitha obligimet. Për qëllim të paragrafëve 2 dhe 3, Doganat e Kosovës nuk do t’i marrin parasysh kriteret e përcaktuara në aneksin 26 të Udhëzimit administrativ nr. 11/2009 për implementimin e Kodit Doganor”.

Për të qenë i autorizuar për ofrimin e garancionit gjithëpërfshirës sa i përket llojeve të mallrave të cilave i referohet aneksi 21 i “Udhëzimit administrativ nr. 11/2009 për implementimin e Kodit Doganor”, personi përgjegjës për qarkullimin transitor duhet të dëshmojë, jo vetëm se i përmbushë kushtet e nenit 233, por edhe se ka gjendje të mirë financiare, se personi ka përvojë të mjaftueshme me procedurat transitore, dhe se ose bashkëpunon ngushtë me doganën ose e ka nën kontroll veprimtarinë e transportit.

Shuma që do të mbulohet nga garancioni gjithëpërfshirës të cilës i referohemi në paragraf mund të zvogëlohet në:

  • 50% të shumës së specifikuar kur personi përgjegjës për qarkullimin transitor dëshmon se bashkëpunon shumë ngushtë me Doganën dhe se e ka nën kontroll veprimtarinë e transportit;
  • 30% të shumës së specifikuar kur personi përgjegjës për qarkullimin transitor dëshmon se bashkëpunon shumë ngushtë me autoritetet doganore, i ka nën kontroll të gjitha veprimtaritë e transportit, dhe se ka mjete të mjaftueshme financiare për t’i përmbushur obligimet e tij.

Garancioni gjithëpërfshirës duhet të dorëzohet nga garantuesi. Do t’i nënshtrohet dokumentit garantues që përkon me mostrën në aneksin 8 të Udhëzimit administrativ nr. 11/2009 për implementimin e Kodit Doganor.

Në bazë të autorizimit, Dogana do t’ia lëshojë personit përgjegjës për qarkullimin transitor një ose më shumë certifikata të garancionit gjithëpërfshirës ose certifikatën për lirim nga garancioni (më tutje ‘certifikatat’) të përpiluara sipas formës që përkon me mostrën në aneksin 29 ose aneksin 30 të Udhëzimit administrativ nr. 11/2009 për implementimin e Kodit Doganor”, dhe të plotësuara në pajtim me aneksin 31, për t’i mundësuar personit përgjegjës për qarkullimin transitor që të ofrojë dëshmi të garancionit gjithëpërfshirës ose të lirimit nga garancioni.

Certifikata do t’i paraqitet zyrës së nisjes. Informacionet e certifikatës duhet të shënohen në deklaratën transitore.

Megjithatë kur të dhënat e garancionit shkëmbehen midis zyrës së garancionit dhe zyrës së nisjes përmes teknologjisë së informacionit dhe rrjeteve kompjuterike, atëherë nuk paraqitet ndonjë certifikatë në zyrën e nisjes.

Periudha e vlefshmërisë së certifikatës nuk duhet të tejkalojë mbi dy vjet. Kjo periudhë mund të zgjatet nga zyra e garancioneve edhe për një periudhë tjetër e cila nuk i tejkalon dy vjet.

Nga data në fuqi të tërheqjes së një autorizimi për shfrytëzimin e garancionit të përgjithshëm ose të lirimit nga garancioni nga autoritetet doganore, nga data në fuqi e tërheqjes nga zyra e garancionit të pranimit të saj të veprimeve të garantuesit, ose nga data në fuqi e anulimit të veprimtarisë nga garantuesi, certifikatat e lëshuara më herët mund të mos shfrytëzohen për vendosjen e mallrave nën procedurën transitore dhe se do të kthehen nga personi përgjegjës për qarkullimin transitor në zyrën e garancionit pa ndonjë vonesë.

Secila zyrë e garancionit doganorë do t’ia dërgojë administratës doganore mënyrë me anë të së cilës mund të identifikohen certifikatat që janë të vlefshme dhe të cilat nuk janë kthyer ende. Si rrjedhojë, administrata doganore do ta informojë zyrën tjetër përkatëse doganore.

 

GARANCIONET TRANZITORE

Garancionet individuale në formën e depozitës me para të gatshme normalisht dorëzohen në zyrën e nisjes. Depoziti do të kthehet kur procedurat e transitit të jenë shkarkuar.

Garancioni individual i dorëzuar nga garantuesi duhet të përkojë me mostrën në aneksin 22 të Udhëzimit administrativ nr. 11/2009 për implementimin e Kodit Doganor”.

Kur zyra e nisjes nuk është zyra e garancionit, kjo e fundit do ta mbajë një kopje të instrumentit me të cilin e ka pranuar veprimin e garantuesit. Personi përgjegjës për qarkullimin transitor duhet t’ia paraqes origjinalin zyrës së nisjes ku edhe do të mbetet.

Zyra e garancionit mund ta tërheq vendimin e vet për pranimin e veprimit të garantuesit nëse kushtet e përcaktuara në kohën e lëshimit nuk janë përmbushur. Po ashtu, garantuesi mund ta anulojë veprimin e vet në çfarëdo kohe. Tërheqja apo anulimi do të hyn në fuqi në ditën e gjashtëmbëdhjetë pas datës kur garantuesi ose zyra e garancionit është njoftuar.

Zyra e garancionit do t’i njoftojë Doganat e Kosovës menjëherë për çfarëdo tërheqje apo anulimi dhe datën kur kjo hyn në fuqi. Doganat do t’i njoftojnë të gjitha zyrat e tjera doganore të cilat mund të jenë të përfshira.