Ankesat lidhur me vendimet administrative doganore

Të gjithë personat të cilët kanë të bëjnë me doganat duhet ta kenë mundësinë që të marrin shpjegime për vendimet e doganave dhe të paraqesin ankesë në vendimin doganor për çfarëdo çështje. Kjo e drejtë e ankesës siguron mbrojtje kundrejt vendimeve të cilat mund të mos jenë në pajtim me ligjet e doganave dhe rregulloret ose dispozitat e tjera ligjore të Kosovës.

Neni 291 dhe 292 i kodit doganor siguron të drejtën e cilitdo “person”  që të kërkojë “shqyrtim të vendimit” të ndonjë vendimi të pafavorshëm të marrë nga dogana. Kërkesa për shqyrtimin e vendimit të tillë duhet të dorëzohet në Doganat e Kosovës brenda 30 ditëve nga data e pranimit të vendimit.

Dogana mund:

  • Ta lë në fuqi vendimin në fjalë dhe ta refuzojë kërkesën;
  • Ta anulojë/tërheq vendimin dhe ta pranojë kërkesën;
  • Ta ndryshojë vendimin duke e pranuar pjesërisht kërkesën.

Në cilindo rast, Doganat e Kosovës do të marrin vendimin për kërkesën e paraqitur për shqyrtim brenda 30 ditëve.

Personat, të cilët janë të pakënaqur me vendimin e marrë lidhur me kërkesën për shqyrtim nga dogana, e kanë të drejtën pastaj të dorëzojnë ankesë kundrejt vendimit në Bordin e pavarur të ankesave (më tutje Bordi).

Ankesa e tillë duhet t’i dorëzohet bordit brenda 30 ditësh nga data kur vendimi është pranuar nga Doganat e Kosovës.

Në rastet kur bordi zhvillon seancë të mbyllur dëgjimore, Dogana do t’i përgjigjet me shkrim brenda 30 ditësh prej datës së lajmërimit sa i përket ankesës.

Në rastet kur bordi zhvillon seancë të mbyllur dëgjimore, Dogana do të përfaqësohet prej përfaqësuesit të saj të autorizuar.

Palët e pakënaqura mund të ankohen për këtë rast në gjykatën kompetente.

Nëse çështja zgjidhet përfundimisht në favor të:

  • Doganave të Kosovës, ankuesi duhet t’i paguaj tagrat e importit ose eksportit, tarifat dhe interesin e papaguar që është grumbulluar deri në momentin kur zgjidhet rasti, ose
  • Ankuesit, atëherë Dogana do ta:
    • kompensojë secilën tagër importi apo tagër eksporti të mbi paguar së bashku me interesin e grumbulluar deri në momentin kur rasti është zgjedhur;
    • nëse mallrat i janë kthyer pronarit, shitur apo asgjësuar:
  • Një shumë e barasvlershme me shumën e paguar nga pronari për kthimin e mallrave;
  • Nëse mallrat janë shitur, shuma e barasvlershme me të ardhurat nga shitja, ose
  • Nëse mallrat janë asgjësuar, shuma e barasvlershme me vlerën në treg të atij artikulli/malli në momentin e konfiskimit.

Me qëllim që t’u ndihmohet importuesve dhe eksportuesve t’i kuptojnë obligimet dhe të drejtat e tyre kur vjen deri te zgjidhja e kontesteve që mund të dalin nga vendimet e marra nga Dogana, janë nxjerrë udhëzimet jo zyrtare në vijim se çfarë nevojitet për t’u përgatitur dhe dorëzuar ose një kërkesë për shqyrtim ose një ankesë. Këto udhëzime janë të komplikuara për nga natyra, duke marrë parasysh natyrën komplekse të lëndëve mbi të cilat merren vendimet e rregullta të doganës.

Udhëzimet e procedurës së ankesës

Informacioni i dhënë këtu nuk është zyrtar, por që u ndihmon tregtarëve me përgatitjen e një ankese të suksesshme për vendimet e pafavorshme të marra nga zyrtarët doganor.

Natyrisht se nuk ka garancione se një ankesë do të jetë e suksesshme, por nëse ekziston rasti për një tregtar ta kontestojë vendimin e marrë nga doganieri, atëherë këto udhëzime mund të shërbejnë si këshilla dhe orientim se çfarë informacioni nevojitet për ta sfiduar vendimin e pafavorshëm.

Sugjerim për formularin e ankesës ndaj një vendimi të marrë nga Dogana

Regjistrimi i ankesës doganore

 

Kjo është një ankesë e dorëzuar në pajtim me dispozitat e nenit 291 të kodit doganor dhe të akcizës të Kosovës (Kodi nr. 03/L-109, me amendamentime) “Kërkesë për shqyrtim të vendimit”, dhe në pajtim me të drejtat e qytetarëve sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ankuesi mendon se vendimi i nxjerrë nga Doganat e Kosovës për këtë çështje, e cila është lënda e kësaj ankese, nuk është në pajtim me Kodin Doganor Nr. 03/L-109 të Republikës së Kosovës, 10 nëntor 2008, dhe me amendamentet e tij – maj 2012.

Kliko këtu për të shkarkuar ankesën.

 

Detaje informuese sa i përket Formularit të Ankesës

 

Këto udhëzime për plotësimin e formularit të ankesës kanë për qëllim t’u ndihmojnë tregtarëve me përgatitjen e ankesave efektive kundrejt vendimeve të nxjerra nga zyrtarët doganorë për të cilat tregtari beson se janë të padrejta ose në shpërputhje me ligjet doganore dhe fiskale të Kosovës

Qëllimi i procedurës së ankesës është që t’u ofrojë të gjithë tregtarëve trajtim dhe shërbime standarde, të barabarta, të paanshme, dhe konsistente nga Doganat e Kosovës

Vendimet lidhur me ankesat do të shërbejnë zakonisht si precedentë për rastet e ardhshme të doganave, dhe janë obliguese si për ankuesin ashtu edhe për Doganat e Kosovës. Vendimet për aplikim të përgjithshëm do të botohen nga Doganat e Kosovës.

Kliko këtu për procedurën e plotë të ankesës.

 

Baza për vendimet e nxjerra nga doganat e Kosovës

Për çfarëdo vendimi të ndryshuar nga dogana, atëherë deklaruesit duhet t’i ofrohet me shkrim baza dhe justifikimi për një ndryshim të tillë nga dogana. Kjo duhet të zbatohet në të gjitha rastet nëse ndryshimi lidhet me origjinën, klasifikimin ose vlerën e mallrave, ose me cilëndo çështje tjetër.

Përveç kësaj, në raste kur dogana është mbështetur në këshillën e ekspertëve për bazën dhe justifikimin e ndonjë ndryshimi  të tillë, atëherë deklaruesit duhet t’i ofrohen me shkrim kredencialet e ekspertit, mbi këshillën e të cilit është bërë ndryshimi i vendimit të doganës, duke përfshirë edhe akreditimin e ndonjë laboratori të shfrytëzuar në përcaktimin e vendimit, dhe raportet nga laboratorët e tillë për mallra.

Së fundmi, në rast se dogana e refuzon ankesën për kthim të taksave doganore, tatimeve apo pagesave të tjera për ndonjë arsye, atëherë dogana duhet të ofrojë shpjegime të detajuara lidhur me arritjen e vendimit ndaj një ankese të tillë, dhe do ta informojë ankuesin për të drejtat e mëtejme të tij për ankesë, nëse ka të tilla.

Baza për përllogaritjen e vlerës nga dogana

Në pjesën e 9-të të Formularit të ankesës duhet të përfshihet informacioni në vijim lidhur me përshkrimin e vlerës (vlerave) e cila kontestohet, si dhe arsyet se pse vlera (vlerat) e deklaruara nga ankuesi janë të sakta.

  • Vlera e mallrave sipas faturës dhe deklaratës
  • Vlera për njësi Vlera e përgjithshme
  • Vlera e mallrave ashtu siç është përcaktuar nga dogana
  • Vlera për njësi Vlera e përgjithshme

Vlera e përgjithshme e përcaktuar nga dogana është e pasaktë, dhe nuk është përcaktuar në pajtim me ligjet doganore të Kosovës (te ceket nëse vlera e përcaktuar nga doganat është më e ulët ose me e lartë sesa duhet të jetë – jepni shifrat se sa e lartë ose e ulët është).

Informata të mëtejme duhet të jepen në pjesën 9, si:

  • Vlera e dorëzuar nga unë ishte bazuar në vlerën e transaksionit, e cila përbën çmimin e përgjithshëm të paguar ose të pagueshëm nga unë për mallrat (ose të ceket ndonjë metodologji tjetër) në pajtim me (të ceket neni për metodologjinë e përdorur) dhe se është e vërtetë, ligjore dhe paraqet vlerën e saktë në pajtim me kapitullin 7 (Neni 33-43) të Kodit Doganor të Republikës së Kosovës. Pretendoj se informacioni i shfrytëzuar nga unë në deklarimin e vlerës doganore ka qene i dokumentuar, është i besueshëm dhe mund të kthehet në shifra. Pretendoj se nuk ka tarifa shtesë të cilat nuk janë përfshirë në vlerën e transaksionit siç kërkohet nga Kodi Doganor për përcaktimin e vlerës së transaksionit.
  • Në lidhje me këtë ju lutem gjeni më poshtë llogaritjet e kërkuara (VËREJTJE: caktojeni vlerën e mallrave; koston e transportit ndërkombëtar për t’i sjellë mallrat në Kosovë nga pika e transportit direkt në vendin e eksportit; dhe kostot e tjera, nëse ka).
  • Ankohem në doganë që ta përcaktojnë sërish vlerën e saktë të cilën e ofroj përmes formularit të deklaratës doganore, dhe si rrjedhojë t’i mi kthejnë menjëherë të gjitha taksat doganore, tatimet, dhe pagesat e tjera që më janë mbledhur gabimisht nga dogana.
  • Për secilën çështje në të cilën dogana dështon të jep përgjigje, do të mbizotërojë supozimi ligjor që dogana nuk e ka marrë vendimin në bazë të dispozitave relevante të legjislacionit doganor.
  • Dogana duhet të ofrojë detaje, përgjigje specifike për secilën prej çështjeve në vijim që janë relative me përcaktimin faktual të bazës për ndryshimin e vlerës nga dogana. Në secilin rast, ju lutem të identifikohet burimi i informacionit. Nëse informacioni i shfrytëzuar si bazë për përcaktimin nga doganat është dokument i shkruar apo regjistër publik, dogana obligohet që të ofrojë një kopje të këtij dokumenti. Nëse dogana pretendon se dokumenti nuk është nën kontrollin e tyre, ju lutem të identifikohet pronari i dokumentit dhe ku mund të gjendet dokumenti. Për qëllim të kësaj ankese, dokumenti nënkupton çfarëdo shënimi të shkruar apo të informacion të regjistruar në mënyrë elektronike në çfarëdo mediumi. Dokumentet përfshijnë edhe të dhënat që mbahen në internet.
  • Në secilin rast kur informacioni i shfrytëzuar nga dogana për përcaktimin e ndryshimit në vlerë është bazuar në dekoratat nga një individ, dogana është e obliguar që të ofrojë datën, kohën, vendin dhe kush ishte i pranishëm gjatë atij deklarimi. Dogana obligohet që të ofrojë kopje të cilës do deklaratë të shkruar nga personi që ofron informacion. Në rast se personi që ofron informacionin konsiderohet nga dogana se është ekspert në fushën e vendit të origjinës, klasifikimit të mallrave ose të vlerësimit doganor, dogana obligohet që të ofrojë, me shkrim, emrin e plotë, të dhëna për identifikimin personal, adresën dhe cilës kompani i takon. Dogana obligohet që të ofrojë biografinë e ekspertit dëshmitar që i identifikon të gjithë faktorët se kemi të bëjmë me ekspertizë individuale të konsoliduar.  Këtu do të përfshihen, por nuk kufizohen vetëm në to vjetët e punës në fushën përkatëse, duke i identifikuar vendet specifike të punës, pozitat e mbajtura si dhe një përshkrim të punëve të kryera. Dogana obligohet të ofrojë dëshmi të të gjitha trajnimeve dhe titujve të ekspertit. Ju lutem t’i identifikoni të gjitha punimet e botuara nga eksperti dëshmitar që kanë  lidhje me vlerësimin doganor, klasifikimin komercial, përcaktimin e vendit të origjinës për qëllime doganore ose punime të tjera të ngjashme. Ju lutem identifikoni të gjithë shembujt ku eksperti dëshmitar ka dëshmuar më parë në gjykata ose në seanca të tjera si ekspert dëshmitar.

Ndryshimet në vlerën doganore të mallrave

Kliko këtu për dokumentin e plotë.