Deklaratat gojore

 

Deklaratat e thjeshtësuara doganore për lëshimin e mallrave të importuara në qarkullim të lirë në Kosovë mund të bëhen gojarisht për këto mallra:

a) Mallrat e natyrës jokomerciale:

  • që ndodhen në bagazhin personal të udhëtarëve, ose
  • që u dërgohen personave privatë, ose
  • në raste të tjera të rëndësisë së vogël, nëse lejohet nga autoritetet doganore;

b) Mallrat e natyrës komerciale me kusht që:

  • vlera e përgjithshme për dërgesë dhe për deklarues nuk e tejkalon pragun statistikor të përcaktuar në dispozitat në fuqi të Kosovës,
  • dërgesa nuk është pjesë e grupeve të rregullta të dërgesave të ngjashme, dhe
  • mallrat nuk transportohen nga transportuesi i pavarur si pjesë e një transferimi më të gjerë të mallrave;

c) Mallrat që kualifikohen për lëshim si mallra të kthyera, duke përfshirë:

  • kafshët për shtegtim apo kullotje, apo për punë ose transportim,
  • paketime të caktuara që përmbajnë shenja të përhershme, të pashlyeshme të një personi të vendosur jashtë Kosovës,
  • pajisjet për produksion radioteleviziv dhe pajisjet transmetuese, si dhe automjetet posaçërisht të përshtatura për shfrytëzim për qëllimin e mësipërm dhe pajisjet e tyre të importuara nga organizatat publike apo private të vendosura jashtë Kosovës dhe të miratuara nga dogana që lëshon autorizimin për procedurën e importimit të pajisjeve dhe automjeteve të tilla,
  • instrumentet dhe aparatet e nevojshme në mënyrë që mjekët t’u ofrojnë ndihmë pacientëve që presin për transplantim të organeve.

Kur shprehimisht nuk i janë deklaruar doganës, mallrat në vijim do të konsiderohen se janë deklaruar për lëshim për importim:

a) mallrat e natyrës jokomerciale që ndodhen në bagazhin personal të udhëtarëve, të cilat kanë të drejtë të lirohen sipas Aneksit A të Kodit Doganor ose si mallra të kthyera;

b) mallrat në vijim kanë të drejtë të lirohen sipas Aneksit A të Kodit:

  • produktet e fituara nga bujqit e Kosovës në tokat që gjenden në një vend tjetër;
  • farërat, plehrat dhe produktet për punimin e tokës dhe kulturat bujqësore të importuara nga prodhuesit bujqësorë në vende të tjera për përdorim në tokat që kufizohen me ato vende;

c) mjetet e transportit që kanë të drejtë të lirohen si mallra të kthyera në Kosovë;

d) mallrat e importuara në kontekst të trafikut të rëndësisë së vogël dhe të liruara nga kërkesa për t‘iu deklaruar zyrës doganore si mallra për trafik turistik, trafik kufitar, trafik postar ose trafik me rëndësi të vogël ekonomike, me kusht që të mos i nënshtrohen tatimit në import.

Deklaratat gojore për import të përkohshëm

Mallrat në vijim, kur nuk deklarohen në Doganë me shkrim ose me gojë, do të konsiderohen se janë deklaruar për import të përkohshëm në rastet në të cilat mallrat i janë paraqitur doganës nën korsinë e gjelbër ose “asgjë për të deklaruar” në zyrat doganore në të cilat funksionon sistemi i korsive dyshe:

a) gjërat personale të udhëtarëve dhe mallrat e importuara për qëllime sportive që i janë paraqitur doganës nën korsinë e gjelbër ose “asgjë për të deklaruar” në zyrat doganore në të cilat funksionon sistemi i korsive dyshe;

b) mjetet e transportit dhe pjesët rezervë.

Deklaratat gojore për eksport

 

Deklarata e thjeshtësuara doganore për eksport mund të bëhen gojarisht për eksportimin e:

a) mallrave të natyrës jokomerciale:

  • që ndodhen në bagazhin personal të udhëtarëve, ose
  • që dërgohen nga personat privatë;

b) mallrave të natyrës komerciale me kusht që:

  • vlera e përgjithshme për dërgesë dhe për deklarues nuk e tejkalon pragun statistikor të përcaktuar në dispozitat në fuqi të Kosovës,
  • dërgesa nuk është pjesë e grupeve të rregullta të dërgesave të ngjashme, dhe
  • mallrat nuk transportohen nga transportuesi i pavarur si pjesë e një transferimi më të gjerë të mallrave;

c) mjetet e transportit të regjistruara në Kosovë dhe të destinuara që të riimportohen;

d) mallrat e tjera me rëndësi të vogël ekonomike, kur një gjë e tillë autorizohet nga autoritetet doganore

Kur shprehimisht nuk i janë deklaruar doganës, mallrat në vijim do të konsiderohen se janë deklaruar për import:

a) mallrat e natyrës jokomerciale që ndodhen në bagazhet personale të udhëtarëve dhe që nuk i nënshtrohen detyrimit doganor të eksportit;

b) mjetet e transportit të regjistruara në Kosovë dhe të destinuara që të riimportohen;

c) mallrat e tjera me rëndësi të vogël ekonomike, kur një gjë e tillë autorizohet nga Dogana e Kosovës.