Vendimet doganore

“Praktika më e mirë” ndërkombëtare është që dogana t’u ofrojë tregtarëve vendime të detyrueshme (që njihen edhe si “informacion i detyrueshëm”) për ta lehtësuar pajtimin e tyre me kërkesat doganore. Këto vendime lëshohen me kërkesë dhe bazohen në informatat e ofruara nga aplikuesi (parashtruesi i kërkesës). Më pas, eksportuesit dhe importuesit mund ta paraqesin vendimin (apo numrin e referencës së tij) për ta përshpejtuar procesimin e mallrave të tyre. Praktika më e mirë gjithashtu ia kufizon doganës mundësinë për t’i revokuar vendimet në mënyrë retroaktive dhe pa i njoftuar paraprakisht palët përkatëse.

Përcaktimi i klasifikimit tarifor, i origjinës së mallrave dhe i shkallës së përcaktuar të tagrave importuese, TVSH-së, akcizës dhe tatimeve të tjera, dhe i metodologjisë për vlerësim mund të jenë shumë të ndërlikuara për mallra të caktuara. Vendimi doganor siguron që nomenklatura e përdorur për klasifikim tarifor të konsiderohet e drejtë nga Dogana e Kosovës. Ky vendim është detyrues derisa të mos revokohet apo ndryshohet. Vendimet i ofrojnë importuesit apo përfaqësuesit të tij/saj siguri lidhur me atë se si do të klasifikohen mallrat dhe në këtë mënyrë i lehtësojnë kërkesat për dokumente për zhdoganim të mallrave në kufi. Vendimet gjithashtu mund të jenë shumë të dobishme sa i përket përcaktimit të metodologjisë për vlerësim doganor, origjinës së mallrave dhe aplikimit të tagrave, tatimeve dhe taksave të tjera.

Kodi Doganor i Kosovës (neni 18) parasheh që pas kërkesës së mirëfilltë të një pale të interesuar, Dogana mund të lëshojë vendim të detyrueshëm lidhur me klasifikimin tarifor apo origjinën e mallit. Vendimi vlen 6 vjet për klasifikim tarifor dhe 3 vjet për përcaktim të origjinës nëse kriteret përkatëse ligjore nuk ndryshojnë apo kushtet e specifikuara nuk përmbushen. Tani për tani nuk ka dispozita për vendime të detyrueshme lidhur me përcaktimin e shkallës së tagrave apo tatimeve apo për metodologjinë për vlerësim.

 

Vendimet e detyrueshme

Vendime të detyrueshme apo “informacione të detyrueshme” do të thotë informata mbi klasifikimin tarifor, metodologjinë për vlerësim apo origjinën e mallrave që janë të detyrueshme si për importuesin ashtu edhe për Doganën e Kosovës. Informacioni i detyrueshëm zakonisht ofrohet në formë të vendimit me shkrim nga Dogana e Kosovës.

Nenet 12 – 18 të Kodit Doganor e përcaktojnë kompetencën e Doganës së Kosovës për t’u ofruar tregtarëve shërbim për informacione të detyrueshme. Përveç kësaj, nenet 8 – 13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 11/2009, për Implementimin e Kodit të Doganave dhe Akcizës, parashohin të dhëna të hollësishme për “informacione të detyrueshme”, duke përfshirë edhe udhëzimet se si të paraqitet kërkesa për informacione të detyrueshme.

Vendimet doganore ose “informacionet e detyrueshme” paraqesin një shërbim për lehtësimin e tregtisë të cilin Dogana e Kosovës ua ofron tregtarëve (zakonisht importuesve) që dëshirojnë të dinë, para se të bëjnë transaksion tregtar, çfarë obligimesh do të kenë kur vërtet të kryejnë një transaksion. Qëllimi i vendimit doganor është të ofrojë parashikueshmëri në formë të informatës paraprake për tregtarë mbi shumën e të hyrave që do të jenë të pagueshme kur ndodh transaksioni, bashkë me obligimet e tjera, si kërkesa për licencë, leje ose certifikatë.

Për të përcaktuar sa të hyra do të jenë të pagueshme në lidhje me transaksionin e ardhshëm, importuesit mund të paraqesin kërkesë në Doganën e Kosovës për vendim paraprak të detyrueshëm (“informacion të detyrueshëm”) mbi klasifikimin e produktit, vendin e përcaktuar të origjinës së produktit dhe shkallën e përcaktuar të tagrës importuese, TVSH-së, akcizës dhe tatimeve të tjera, nëse ka të mëparshme.

Kërkesat për informacione të detyrueshme mund të parashtrohen në formën që përputhet me mostrën e paraqitur në Aneksin I të Udhëzimit Administrativ Nr. 11/2009.

Kërkesat për informacione të detyrueshme tarifore duhet t’i përmbajnë këto të dhëna:

  • Emrin dhe adresën e mbajtësit;
  • Emrin dhe adresën e aplikuesit, nëse ai person nuk është mbajtësi;
  • Një përshkrim të hollësishëm të mallrave që mundëson identifikimin e tyre dhe përcaktimin e klasifikimit të tyre në nomenklaturën doganore;
  • Përbërjen e mallrave dhe çdo metodë të ekzaminimit të përdorur për ta përcaktuar këtë përbërje, kur klasifikimi varet nga kjo;
  • Mostrat, fotografitë, planet, katalogët apo dokumente të tjera në dispozicion, që mund t’i ndihmojnë Doganës për ta bërë klasifikimin e drejtë të mallrave në nomenklaturën doganore, që duhet të bashkëngjiten si anekse;
  • Klasifikimin e paraparë nga aplikuesi;
  • Marrëveshjen për ta përkthyer cilindo dokument të bashkangjitur në njërën prej gjuhëve zyrtare të Kosovës, nëse kërkohet nga autoritetet doganore;
  • Të dhënat që duhet të konsiderohen konfidenciale;
  • Aplikuesi duhet të tregojë, po qe se di, nëse kërkesa për informacione të detyrueshme tarifore për mallra identike apo të ngjashme tashmë është parashtruar apo lëshuar në Kosovë;
  • Pranimin që informatat e ofruara mund të ruhen në bazën e të dhënave të Doganës dhe që të dhënat e informacioneve të detyrueshme tarifore, përfshirë fotografitë, skicat, broshurat, etj., mund t’i zbulohen publikut përmes internetit, përveç informatave që aplikuesi i ka shënjuar si konfidenciale; me këtë rast do të zbatohen dispozitat në fuqi që e rregullojnë mbrojtjen e informatave.

Kërkesat për informacione të detyrueshme për origjinë duhet t’i përmbajnë këto të dhëna:

  • Emrin dhe adresën e mbajtësit;
  • Emrin dhe adresën e aplikuesit, nëse ai person nuk është mbajtësi;
  • Bazën e zbatueshme ligjore për qëllime të seksioneve 11 dhe 11B të Kodit;
  • Një përshkrim të hollësishëm të mallrave dhe klasifikimin e tyre tarifor;
  • Përbërjen e mallrave dhe metodën e ekzaminimit të përdorur për ta përcaktuar këtë dhe çmimin e livrimit të tyre, sipas nevojës;
  • Kushtet që mundësojnë përcaktimin e origjinës, materialet e përdorura dhe origjinën e tyre, klasifikimin e tyre tarifor, vlerat përkatëse dhe përshkrimin e rrethanave (rregullat për ndryshimin e titujve tariforë, vlerën e shtuar, përshkrimin e veprimit ose të procesit, apo ndonjë rregull tjetër specifike) që mundësojnë përmbushjen e kushteve në fjalë; duhet të përmendet në veçanti rregulli i saktë i zbatuar për origjinën dhe origjinën e paraparë për mallra;
  • Mostrat, fotografitë, planet, katalogët apo dokumente të tjera në dispozicion për përbërjen e mallrave dhe materialet e tyre përbërëse dhe që mund të ndihmojnë në përshkrimin e procesit të prodhimit apo të përpunimit të cilit i janë nënshtruar materialet;
  • Marrëveshjen për ta përkthyer cilindo dokument të bashkangjitur në njërën prej gjuhëve zyrtare të Kosovës, nëse kërkohet nga autoritetet doganore;
  • Të dhënat që duhet të konsiderohen konfidenciale, qoftë në lidhje me publikun apo administratat;
  • Aplikuesi duhet të tregojë, po qe se di, nëse kërkesa për informacione të detyrueshme tarifore apo informacione të detyrueshme për origjinën e mallrave apo materialet identike apo të ngjashme me ato të përmendura në pikat (d) apo (f) tashmë është parashtruar apo lëshuar në Kosovë;
  • Pranimin që informatat e ofruara mund të ruhen në një bazë të të dhënave të autoriteteve doganore me qasje publike, megjithatë, pavarësisht nga neni 16 i Kodit, do të zbatohen dispozitat në fuqi që e rregullojnë mbrojtjen e informatave në Kosovë.

Informacionet e detyrueshme do t’i ofrohen aplikuesit me shkrim nga Dogana e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur:

  • Çështjet tarifore: nëse nuk ka qenë e mundur që aplikuesit t’i komunikohen informacionet e detyrueshme tarifore brenda tre muajve nga pranimi i kërkesës, Dogana do të kontaktojë me aplikuesin për t’ia sqaruar arsyet për këtë vonesë dhe do të tregojë kur pret të jetë në gjendje t’ia komunikojë informatat.
  • Çështjet e origjinës: informatat do të komunikohen brenda një afati kohor prej 150 ditësh nga data e pranimit të kërkesës.

Informacionet e detyrueshme do të komunikohen nëpërmjet një formulari që përputhet me mostrën e paraqitur në Aneksin 2 (informacionet e detyrueshme tarifore) apo Aneksin 3 (informacionet e detyrueshme të origjinës) të Udhëzimit Administrativ Nr. 11/2009. Njoftimi do të tregojë cilat të dhëna do të konsiderohen konfidenciale. Do të përmendet e drejta e ankesës e paraparë me nenin 291 të Kodit Doganor.

Mbajtësi i informacioneve të detyrueshme mund t’i përdorë ato në lidhje me mallrat e caktuara vetëm kur Dogana e Kosovës ka përcaktuar:

  • Çështjet tarifore: që mallrat në fjalë përputhen në të gjitha aspektet me mallrat e përshkruara në informatën e prezantuar;
  • Çështjet e origjinës: që mallrat në fjalë dhe rrethanat që e përcaktojnë origjinën e tyre përputhen në të gjitha aspektet me mallrat dhe rrethanat e përshkruara në informatën e prezantuar.

Vendimi me të cilin parashihen “informacionet e detyrueshme” do të vlejë zakonisht gjashtë vjet nga data e lëshimit në rastin e tarifave dhe tri vjet nga data e lëshimit në rastin e origjinës.

Megjithatë, vendimi me të cilin parashihen informacionet e detyrueshme do të anulohet kur bazohet në informata të pasakta ose jo të plota nga aplikuesi.

Informacionet e detyrueshme pushojnë të vlejnë:

  • Në rastet e informacioneve tarifore:

(i) Kur aprovohen dispozitat ligjore dhe informacioni nuk është më në përputhje me këto dispozita;

(ii) Kur nuk përputhet më me interpretimin e tarifës doganore të Kosovës, për shkak të ndryshimeve të rregullave të klasifikimit tarifor të mallrave në përputhje me nenin 24 (6);

(iii) Kur revokohet ose ndryshohet në përputhje me nenin 15, me kusht që personit të cilit i është lëshuar informata të njoftohet për revokimin ose ndryshimin.

Data kur informacioni i detyrueshëm pushon të vlejë për pikat nën (i) dhe (ii) do të jetë data e aplikimit të masave të lartpërmendura.

  • Në rastet e informacionit të origjinës:

(i) Kur aprovohen dispozitat ligjore ose vendoset një marrëveshje në Kosovë dhe informacioni nuk përputhet më me këto dispozita;

(ii) Kur nuk është më në pajtueshmëri me shënimet shpjeguese dhe pikëpamjet e aprovuara për qëllimet e interpretimit të rregullave të origjinës;

(iii) Kur revokohet ose ndryshohet në përputhje me nenin 15, me kusht që personi të cilit i është lëshuar informata të njoftohet paraprakisht.

Mbajtësi i informacionit të detyrueshëm, i cili pushon të vlejë, ende mund ta përdorë atë informacion për një periudhë gjashtëmujore nga data e publikimit ose njoftimit, me kusht që ai të ketë lidhur kontrata të detyrueshme për blerjen apo shitjen e mallrave në fjalë, duke u bazuar në informacionin e detyrueshëm, para se të miratohen këto masa.

Klasifikimi ose përcaktimi i origjinës në informacionet e detyrueshme mund të zbatohet nën kushtet e caktuara vetëm me qëllim të caktimit të detyrimeve të importit apo të eksportit.

Nëse ju nevojiten informata më të hollësishme për origjinën e mallrave, luteni t’i shikoni faqet 18 – 33 të Udhëzimit Administrativ Nr. 11/2009.

Vendimet paraprake

Vendimi paraprak është këshillë zyrtare që Dogana ia lëshon një tregtari lidhur me atë se si Dogana do t’i trajtojë importet e specifikuara. Për dallim nga vendimet e detyrueshme të diskutuara më parë, kërkesa për vendime paraprake duhet të paraqitet dhe vendimi duhet të lëshohet para importimit të ndonjërit prej mallrave të cekura dhe vendimit të Doganës lidhur me ato mallra. Vendimet paraprake janë mjet i dëshmuar për lehtësimin e tregtisë si për importuesit asht edhe për administratat doganore. “Praktika më e mirë” ndërkombëtare është që vendimet paraprake të lëshohen lidhur me këto çështje:

  • Klasifikimin tarifor të mallrave [[duke përfshirë] shkallën e zbatuar të tarifës doganore për produkt [ose, kur është e nevojshme, mënyrën në të cilën llogaritet shkalla e zbatuar e tarifës doganore për një produkt;
  • Metodën përkatëse dhe zbatimin e metodës që do të përdoret për ta përcaktuar vlerën doganore sipas një grupi të caktuar të fakteve;
  • Zbatimin e kërkesave për rikthim të tagrës doganore, shtyrje të afatit, [apo lirim tjetër nga tagrat doganore;
  • Zbatimin e kërkesave për kuota, duke përfshirë kuotat e tarifave;
  • Origjinën e mallit;
  • Pagesat dhe shpenzimet që do të zbatohen [[ose] [dhe], kur është e nevojshme, informatat për mënyrën në të cilën llogariten pagesat dhe shpenzimet e tilla;
  • Çështjet shtesë për të cilat shteti konsideron se është me vend të lëshohet një vendim paraprak;

Kodi Doganor i Kosovës tani nuk lejon në mënyrë të posaçme vendime paraprake me emër. Megjithatë, praktika aktuale e Doganës është të lëshojë vendime paraprake lidhur me çështjet e klasifikimit dhe origjinës.