Procedurat e thjeshtësuara doganore

Procedurat e thjeshtësuara janë pjesë e rëndësishme e administratës moderne doganore. Procedurat e thjeshtësuara mund ta bëjnë trajtimin doganor të mallrave të importuara shumë më pak të ndërlikuar dhe gjithashtu, sipas llojit të procedurës, në më pak kohë.

Përparësia kryesore që e ofrojnë është fillimisht në lejimin e parashtrimit të deklaratës për mallrat që nuk i përmbajnë të gjitha të dhënat e kërkuara. Të dhënat që nuk janë përfshirë duhet të komunikohen vetëm në një datë të mëvonshme. Varësisht nga autorizimi përkatës, këto të dhëna gjithashtu mund të kombinohen për mallrat e importuara brenda një periudhe të caktuar në një deklaratë të vetme plotësuese dhe tagrat e importit dhe tatimet të paguhen në një shumë të vetme. Procedurat e thjeshtësuara (që nganjëherë quhen “procedura lokale”) janë të destinuara për ta shkurtuar kohën dhe shpenzimet e zhdoganimit të importeve dhe eksporteve për tregtarët që kanë një histori të pajtueshmërisë vullnetare me kërkesat doganore, ligjore dhe rregullative dhe të cilët, si pasojë, kategorizohen si "rrezik i ulët".

Kodi Doganor i Kosovës (2008) lejon procedura të thjeshtësuara në nenin 80. Ky Kod u ndryshua në vitin 2011 (Ligji Nr. 04/L-099) për të lejuar procedura të thjeshtësuara shtesë në lidhje me operatorët e autorizuar ekonomikë dhe përdorimin e deklaratave përmbledhëse. Këto procedura të thjeshtësuara shtesë nuk janë zbatuar ende.

 

Informatat shtesë për procedura të thjeshtësuara

Shkurtimisht, neni 80 i Kodit Doganor përcakton:

“Për ta thjeshtësuar përfundimin e formaliteteve dhe të procedurave sa më shumë që të jetë e mundur gjersa siguron që operacionet kryhen në mënyrë të duhur, Dogana, sipas kushteve të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ për zbatimin e këtij Kodi , mund të japë leje për:

  • Deklaratën për të mos i përfshirë disa të dhëna, ose disa dokumente që zakonisht nuk kërkohen t’i bashkëngjiten deklaratës;
  • Një dokument komercial ose administrativ, të shoqëruar me kërkesën për mallrat që do të vihen nën procedurën doganore në fjalë, që duhet të dorëzohet në vend të deklaratës;
  • Mallrat që do të deklarohen për procedurën në fjalë përmes futjes në evidencë; në këtë rast Dogana mund të heqë dorë nga kërkesa që deklaruesi t’ia paraqesë mallrat doganës;

Deklarata e thjeshtësuar, dokumenti komercial ose administrativ ose futja në evidencë duhet t’i përmbajnë së paku të dhënat e nevojshme për identifikimin e mallrave. Kur mallrat të futen në evidencë, duhet të përfshihet edhe data e futjes së tillë në evidencë.”

Në të vërtetë, procedurat e thjeshtësuara paraqesin obligimet efikase që mund të ofrohen në diskrecion të menaxherit të zyrës doganore lokale zakonisht për shkak se tregtari dhe transaksioni i tregtarit nuk paraqesin fare rrezik ose paraqesin rrezik të ulët të mospërmbushjes. Në disa raste, procedurat e thjeshtësuara doganore mund ta marrin formën e formularit të thjeshtësuar të deklarimeve doganore.

Formulari i kërkesës për autorizimin e procedurave të thjeshtësuara