Vlera doganore e mallrave

"Vlera doganore" i referohet vlerës së mallrave të importuara që përdoret për të llogaritur detyrimet doganore të importit dhe tatimet. Shumica e importeve vlerësohen në bazë të "vlerës së transaksionit" (çmimi i kontratës), dmth, çmimi i paguar ose që duhet paguar për mallrat në vendin e tyre të eksportimit kur shiten në Kosovë, me disa përshtatje të caktuara. Megjithatë, në qoftë se nuk është e mundur për të përdorur vlerën e transaksionit, 5 metodat e tjera të vlerësimit mund të përdoren sipas radhës.

Kodi Doganor i Kosovës siguron autoritetin për gjashtë metodat që duhet të zbatohen sipas radhës në përcaktimin e vlerës doganore të mallrave të importuara (shih nenet 31-40 të Kodit). Këto dispozita në Kod bazohen në Marrëveshjen për Vlerësimin Doganor (MVD) të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT-së) për përcaktimin e vlerës doganore të mallrave të importuara ("MVD-OBT" ose "MVD"). Të njëjtat parime dhe praktika zbatohen edhe për vlerësimin e importeve në Bashkimin Evropian dhe për këtë çështje të gjitha 157-të ekonomitë që janë anëtarë të OBT-së dhe shumë vende të tjera po ashtu.

 

Informata shtesë për vlerësimin doganor

Nenet 60-82 të Udhëzimit Administrativ nr. 11/2009 "që vendosin dispozitat për zbatimin e Kodit Doganor", sigurojnë informacion më të detajuar mbi vlerën doganore dhe se si të përcaktohet vlera e mallrave të importuara. Aneksi 12 i këtij Udhëzimi Administrativ ofron Shënimet Shpjeguese mbi Vlerën Doganore.

Nenet 31-40 të Kodit Doganor të Kosovës) elaborojnë rregullat për përcaktimin e vlerës së mallrave të importuara, në mënyrë që të sigurohet uniformitet më i madh dhe siguri në mënyrën se si mund të përcaktohen vlerat ligjërisht. Parashikimi për tregtarët është një objektiv kryesor i këtyre dispozitave të Kodit lidhur me vlerën doganore, pasi këto dispozita të vlerësimit në Kodin Doganor të Kosovës me besnikëri ndjekin të njëjtat parime të MVD - në mënyrë që të sigurojnë parashikueshmëri për importuesit e Kosovës.

Sistemi për përcaktimin e vlerave të importit në Kosovë e njeh nevojën për një sistem të drejtë, uniform dhe neutral për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore që përjashton përdorimin e vlerave doganore arbitrare ose fiktive. Në të vërtetë, Kodi Doganor përcakton metodologjinë e vlerësimit që Dogana e Kosovës duhet të aplikojë në importe. Në masën më të madhe të mundshme, "vlera doganore" e mallrave të importuara do të jetë vlera e transaksionit të mallrave që vlerësohen. Vlera e transaksionit e mallrave është e bazuar kryesisht në çmimin e paguar ose të pagueshëm për mallrat (në përputhje me realitetin komercial) përveç në rastet kur disa kufizime ose kushte që kanë të bëjnë me mallrat, padrejtësisht ose në mënyrë jorealiste ndikojnë në vlerën e tyre.

Vlerat doganore janë të bazuara në kritere të thjeshta dhe të barabarta në përputhje me praktikën tregtare dhe metodat e zbatuara të vlerësimit duhet të jenë "të aplikimit të përgjithshëm, pa dallim në mes të burimeve të furnizimit".

Importuesit duhet të jenë të vetëdijshëm se vlera doganore nuk mund të përcaktohet në bazë të:

  • çmimit të shitjes në Kosovë të mallrave të prodhuara në Kosovë;
  • një sistemi i cili siguron pranimin për qëllime doganore të më të lartës nga dy vlerat alternative;
  • çmimit të mallrave në tregun e brendshëm të vendit eksportues;
  • kostos së prodhimit, të ndryshme nga vlerat e përllogaritura që janë përcaktuar për mallra identike ose të ngjashme, në pajtim me nenin 33 (2) (d);
  • çmimet për eksport në një vend tjetër jashtë Kosovës;
  • Vlerave doganore minimale ose
  • vlerave arbitrare ose fiktive.

MVD-OBT gjithashtu pranon se procedurat e vlerësimit doganor nuk duhet të përdoren për të luftuar dumpingun.

Në këtë drejtim, çdo sistem i aplikimit të vlerave minimale ose krahasuese, është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet e MVD-së, parimet e BE-së dhe dispozitat e vlerësimit të importit në Kodin Doganor të Kosovës.

Objektivi për të siguruar këtë informacion në UTN është përmirësimi i cilësisë së informacionit të dhënë në deklaratat doganore (pra nxitjen e rritjes së përputhshmërisë vullnetare) që ka të bëjë me mallrat e përfshira në transaksion. Përmirësimi në cilësinë dhe saktësinë e informacionit në fatura dhe deklarata doganore do ti lejojë Doganës së Kosovës të ofrojë shërbim më të mirë në zhdoganimin e dërgesave të importit më shpejt.

Për informacion specifik lidhur me vlerësimin doganor, ju lutem kontaktoni zyrën e treguar më sipër. Gjithashtu, Departamenti i Trajnimit në Doganën e Kosovës ka materiale, duke përfshirë një DVD, në dispozicion për importuesit dhe përfaqësuesit e tyre që do të ndihmojnë në përgatitjen e deklaratave të importit, duke përfshirë materiale që kanë të bëjnë me metodologjinë përcaktimin  korrekt të vlerave të importeve.

Së fundi, Titulli IV  që fillon në faqen 18 të Udhëzimit Administrativ nr. 11/2009 ofron informacion më të detajuar mbi vlerësimin e mallrave të importuara. Më konkretisht, nenet 60-82 të këtij Udhëzimi Administrativ (pp 18-51) ofrojnë informacion të detajuar mbi vlerësimin doganor, dhe Aneksi 12 i Udhëzimit Administrativ përshkruan "Shënimet Shpjeguese mbi Vlerën Doganore" që janë të dobishme. (Ky aneks gjendet në faqen 377 të Udhëzimit Administrativ).

Kurdo që Dogana e Kosovës ka dyshime në lidhje me një vlerë të deklaruar të importit, një zyrtar doganor mund të kërkojë informacione shtesë mbi mallrat dhe transaksionet në fjalë. Megjithatë, në qoftë se vazhdon dyshimi, oficeri duhet, para se të arrijë një vendim përfundimtar, të njofton personin në fjalë, me shkrim nëse kërkohet, me arsyet e këtyre dyshimeve dhe t’i sigurojë personit një mundësi të arsyeshme për t'u përgjigjur. Në të gjitha rastet e tilla, vendimi përfundimtar dhe arsyet duhet t'i komunikohen me shkrim personit në fjalë.

Kur një borxh doganor lind në lidhje me mallrat e importuara dhe vlera doganore e këtyre mallrave bazohet në çmimin realisht të paguar ose të pagueshëm që përfshin shpenzimet e magazinimit dhe të ruajtjes së mallrave gjatë vendosjes së tyre në magazinë, këto shpenzime nuk duhet të përfshihen në vlerën doganore në rast se tregohen veçmas nga çmimi realisht i paguar ose që duhet paguar për mallrat.